Arrestohet zyrtari i Komunës së Vitisë, dyshohet se kërcënoi kryeministrin Kurti

Zyrtari i arkivit në Komunën e Vitisë, Naser Azemi, është arrestuar pasi dyshohet se kërcënoi kryeministrin Albin Kurti për shkak të ndaljes së rrogës.

I revoltuar për mosdaljen e rrogës, Azemi kishte thënë se do të merret personalisht me Kurtin nëse i ndodhë diçka fëmijëve të tij nga uria.

“Demagog i ndyer, rrogën e gushtit që e ke ndalur njerëzit për atë rrogë e kanë kryer punën! Vetëm i ndodhë fëmijëve të mi të vegjël diçka nga uria që ti jua ke shkaktuar, ta dijsh personalisht do të merrem me ty, nuk kam me të lanë vend kërkund në këtë botë!”, kishte shkruar Azemi në Facebook.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati i tij, Xhevdet Smakiqi përmes një postimi në Facebook. Sipas Smakiqit, Azemi nuk e ka kryer veprën penale kanosje.  Ai thotë se postimi i tij nuk ishte serioz dhe është fshirë me vullnet nga zyrtari Azemi. Smakiqi ka kërkuar që Naser Azemi të lirohet menjëherë nga burgu./KosovaPress