Zbulohet kush janë rusët që tentuan të hyjnë në Uzinën e Armëve në Shqipëri

Abc ka zbuluar dy nga tre emrat e shtetasve që tentuan të hynin fshehurazi në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh, të cilët dyshohet të jenë agjentë rusë.

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva është me pasaportë ruse, ndërsa Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse.

Ngjarja

Burime për Abc bënë me dije se tre shtetasit e huaj janë pikasur nga ushtarët shqiptarë që ndodheshin në krye të detyrës, ndërsa po kërkonin të hynin fshehurazi në godinë.

Në momentin që ushtarët shqiptarë janë afruar, rusët i kanë sulmuar duke përdorur mjete piroteknike dhe sprije, duke lënë të plagosur Ardi Bicin dhe Ardjan Xhakën.

Tre shtetasit e huaj të dyshuar si agjentë rusë, janë arrestuar nga drejtoria e Policisë së Elbasanit dhe më pas i janë dorëzuar antiterrorit, ku edhe janë marrë në pyetje.

Burimet për gazetarin Kozarja kanë theksuar se tre shtetasit e huaj, dy rusë dhe një ukrainase, kanë thënë se janë turistë.

Ndërkohë që në çantën e tyre janë gjetur aparatura të cilat përdoren nga agjentë spiunazhi për të fotografuar objekte. Në mikroçipet e këtyre aparaturave janë gjetur edhe foto të Uzinës.