Si ndodhi mbyllja e QMF-së në Likoc të Skenderajt

Sot, kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura përmes një postimi në facebook ka njoftuar për mbylljen e Qendres së Mjekësisë Familjare në Likoc, duke hedhur fajin për këtë tek ish qeverisja e Bekim Jasharit. Mirëpo në lidhje me deklaratën e z. Nura ka reaguar Lista e Pavarur Bekim Jashari e cila ka sqaruar se mbyllja e përkohshme e qendres ishte bërë në muajin tetor 2021 për renovimin e saj dhe se pas një muaji ajo do të hapej përseri por që sipas saj qeverisja aktuale nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

Ja postimi i plotë i Listës së Pavarur Bekim Jashari: Sqarim në lidhje me mbylljen e përkohshme të QMF-së në Likoc Për informimin e drejtë të qytetarëve dhe mediave sqarojmë se në muajin tetor të vitit 2021, kanë filluar punimet në renovomin e kësaj qendre nga komuna e Skenderajt, ku plani dinamik i tyre do të zgjaste 30 ditë. Për shkak të këtyre punimeve përkohësisht është mbyllur qendra e mjekësisë familjare në Likoc dhe stafi është transferuar në AMF-në e fshatit Rezallë, jo larg Likocit, atje ku kanë marrë shërbimet edhe banorët e bashkësisë lokale të Likocit. Mbyllja e kësaj qendre është bërë vetëm për 1 muaj, për t’u hapur mbas renovimit. Një muaj pas mbylljes së qendres në fjalë ka ardhur në pushtet kjo qeverisje dhe z. Nura, i cili bashkë me drejtorin e ri të shëndetësisë është dashur të interesohen për përfundimin e punimeve dhe ri-hapjen e saj. Pra kjo qeverisje në vend që të punojë në ri-hapjen e qendres, ata kishin vendosur që të heshtin për 2 muaj dhe tani mbas 2 muajve neglizhencë dhe mos interesim të tyre mundohen që të hedhin fajin tek ish qeverisja. Lista e Pavarur Bekim Jashari fton qeverisjen aktuale dhe z. Nura që të mos vazhdojnë me shfaqje amatere por të kryejnë përgjegjësitë ligjore që kanë dhe obligimet që kanë marrë për t’i kryer.