“Pus në Kosovë, pus në Shqipëri, pus kudo që ka shqiptarë!”

“Ku të gjendet një njeri që i bashkon shqiptarët?

Ai njeri zor se do të lindë ndonjëherë! Lindjen e tij e ka lypur qysh Migjeni, por deri në kohët tona nuk është lindur. Ai njeri do të duhej të mos ishte si liderët që i kemi sot në skenën shqiptare, nga Tirana e deri në Preshevë, por do të duhej të ishte shumë më ndryshe se këta që i kemi, shkruan “Kosovarja”.

E, për të mos qenë si këta që i kemi, është shumë lehtë: Të mos gënjejnë, të mos korruptohen, të mos inskenojnë…

Do të presim edhe shumë që ta lindim një njeri, i cili do të bëhej figura adekuate e Migjenit. Ai njeri edhe mund të jetë lindur, por nuk e dimë.

Mund të jetë në mesin tonë, por ne nuk kemi mësues ta drejtojë gishtin kah ai e të thotë: Ja ku e kemi një të tillë, që e kërkonte Migjeni, shkruan “Kosovarja”.

Pse na duhet ai njeri neve, shqiptarëve, që do ta prisnim të rritej e të bëhej lider, që ta dëgjojë shumica e popullit?

Na duhet një i tillë, sepse sot politikanët tanë janë aq të përçarë sa mundohen t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit!

Nuk kemi njerëz të besueshëm. I kemi humbur arsyet të besojmë në liderët tanë politikë në Kosovë, por edhe në Shqipëri që moti!

Pse të lindej ai njeri që do të bëhej një lider i madh kombëtar, pas të cilit do të shkonte populli dhe çfarë do të duhej të ishte ai?

Lideri që do të lindej për t’i besuar populli do të duhej të mos jetë hajn. Të mos jetë gënjeshtar. Të mos jetë premtues. Të mos jetë njeri që i gëlltitë fjalët e veta, pështymën e vet.

Të mos jetë i zhytur në korrupsion. Të mos jetë pjesë e grupeve kriminale. Të mos jetë lider që do fliste me të njëjtin fjalor të liderëve tanë sot.

Ai do duhej të fliste krejt ndryshe prej këtyre që i kemi. Lider që do duhej të merrte vendime konform zhvillimit të kombit, e në interes të përgjithshëm të kombit.

Do të duhej të jetë njeri që nuk do ta kishte synim parësor interesin personal dhe hajninë. Ai do duhej të ishte i drejtë, pa dredhi…

E, jo si këta tanët: Pa marrë parasysh marrëveshjet e shumta në Bruksel, Ura mbi Ibër nuk është hapur! Barrikada është po aty ku kishte qenë para se të fillonin bisedimet!

Rojat e urës janë po ata njerëz që kanë qenë para marrëveshjes, por dallimi është se ata tani janë bërë policë të Kosovës me uniformë dhe rrahin shqiptarë kurdo që duan!

Edhe në Shqipëri është po kjo gjendje. Si Berisha, si Rama, si dikur Nano, pamja është e njëjtë, dallojnë vetëm fjalët dhe ofendimet ndaj njëri-tjetrit…

Në këtë kohë, kur duhet të reformohemi dhe të kemi identitet të kulluar akademiko-kombëtar në politikë, ne bëjmë akoma politikë lokaliste dhe ndërurrejtëse.

Kur dëgjoni seancat parlamentare të Parlamentit të Shqipërisë, e shihni maskaranë më reale të urrejtjes nacionale, të cilët nuk shohin se çka ndodh mbi Urën e Ibrit, nuk shohin se çka ndodh në Preshevë, çka ndodh në Plavë e Guci… Nuk shohin matanë verbërisë së tyre personale”.

Safet Krivaça /Kosovarja/