Me një muaj vonesë nis sot viti shkollor

Nxënësit në nivel vendi do të kthehen në shkollë me një muaj vonesë.

Kësisoj Ministria e Arsimit do të formojë grupin punues që nga e hëna për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.

Përmes një njoftimi, Ministria e Arsimit ka ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.

Ndonëse ende nuk dihet nëse orët e humbura do të zëvendësohen shkollat kanë bërë të gjitha përgatitjet për të nisur procesin mësimor.

“Kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe jemi të gatshëm të fillojmë procesin mësimorë. Janë përfunduar disa punë brenda objektit ndërkaq kemi shpërndarë edhe librat përveç klasës së parë që do t’i marrin nesër”,thotë Mimoza Krasniqi, Drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemaili”.

“Ne kemi qenë që nga fillimi të përgatitur edhe tash jemi gati ndërsa i kemi shpërndarë pothuajse të gjitha librat dhe tash i kemi edhe disa të tjera të fazës së dytë dhe janë të gatshme për nxënësit”, tha Nehar Shasivari, Zv/drejtor i shkollës “Dardania”.

Në Ministrinë e Arsimit kanë bërë te ditur se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit dhe se Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.

Ministrja Arbërie Nagavci ka paralajmëruar konkurs për 20 inspektorë të arsimit përmes të cilëve synohet të sigurohet cilësi në arsim, më shumë monitorim e vlerësim të performancës së punëtorëve të arsimit.