I shkakton lëndime trupore, i biri ik nga shtëpia dhe e lajmëron në polici babain

Jo rrallëherë fëmijët keqtrajtohen nga prindërit e tyre. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, që ka ndodhur mbrëmë në Drenas, Prokuroria ka nisur hetimet ndaj një 42-vjeçari.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari (emër i njohur për redaksinë, që nuk do të publikohet me qëllim të ruajtjes së identitetit të viktimës së mitur) u arrestua pasi u denoncua në Polici se po ushtron dhunë fizike ndaj fëmijës së tij 16 -vjeçar. Ai po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht djalin, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore.

Posa Policia ka marrë informacionin, njësitet policore kanë arritur ta kapin të dyshuarin, i cili është  shoqëruar për në stacion policor për intervistim.

Pas marrjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të dyshuarin ta ndalojë, për 48 orë.

Ndaj tij është iniciuar rasti “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, vepër kjo e sanksionuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas të cilit “Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili keqtrajton fëmijën e tillë duke përdorur masa fizike apo mendore ose shkel detyrimin e tij për përkujdesje dhe edukim të fëmijës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”