Gjermania mbetet “zgjidhja” e kosovarëve, vetëm për tre muaj afër 16 mijë persona aplikuan për vizë

Vendet perëndimore ndër vite kanë qenë një “zgjidhje” për problemet e qytetarëve të Kosovës të cilët largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Numri më i madh i atyre që largohen nga Kosova padyshim se është i të rinjve.

Mungesa e perspektivës, punës dhe kushteve të tjera të jetesës janë ndër arsyet që të rinjt përmendin në momentin që vendosin të largohen nga Kosova drejt vendeve të perëndimit.

E sa i përket vitit 2022, Ambasada e Gjermanisë ende nuk ka dhënë shifra të detajuara se sa është numri i atyre që kanë aplikuar apo kanë marrë tashmë një vizë pune, bashkim familjar apo turistike.

Nga Ambasada Gjermane në Kosovë kanë deklaruar për lajmi.net se deri tani ekzistojnë shifra vetëm për certifikimin e parë të vitit 2022, ku theksohet se në tremujorëshin e parë të këtij viti janë përpunuar gjithsej 15 mijë e 776 aplikacione për viza.

“Ambasada në Prishtinë në tremujorshin e parë të vitit 2022 i ka përpunuar gjithsej 15.776 aplikacione për viza, ndër to 4.560 për viza nacionale dhe 11.216 për viza Schengen. Vlerësimi sipas qëllimit të qëndrimit, si dhe të dhënat rreth shifrave të vizave të lëshuara mund të publikohen tek nga fundi i vitit në kuadër të statistikave vjetore”, theksohet në përgjigjen e ambasadës.

Ambasada e Gjermanisë kanë bërë të ditur se ndër vite, kërkesat për viza të punës, të bashkimit familjar dhe ato turistiket janë më të shpeshtat.

Nga Ambasada gjermane kanë thënë gjithashtu se terminet për viza Schengen për udhëtime drejt Gjermanisë nga mesi i shtatorit mund të rezervohen nëpërmjet kontraktorit të jashtëm “Visa Metric”.

E sa i përket aplikimit për viza në kuadër të Gjermanisë, Ambasada pati njoftuar se tashmë do të ketë një shërbyes të porositur dhe të kontraktuar nga Ministria e Jashtme Federale në Berlin.

“Për të ofruar më shumë termine për aplikim për vizë Schengen dhe një kohë pritjeje dukshëm më të shkurtër, Ambasada Gjermane në Prishtinë duke filluar nga mesi i shtatorit për aplikim për viza Schengen do të bashkëpunojë me një shërbyes të porositur dhe të kontraktuar nga Ministria e Jashtme Federale në Berlin. Ky bashkëpunim është dëshmuar tashmë në disa shtete”,u tha tutje.

E sipas kësaj Ambasade, kontraktori në fjalë ndihmon qytetarët për të aplikuar për dhënie të një vize Schengen. Ai i përcjell dokumentacionet në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, ku më tej shqyrtohen dhe merret vendim për aplikacionet.

“Në vazhdim kontraktori jua kthen pasaportën tuaj. Kontraktori do të mundësojë një rezervim dukshëm më të shpejtë të termineve në kohë më të shkurtër, duke ofruar shërbimet e tij në këmbim të një takse prej 30 EUR. Përveç kësaj, ai do të ofrojë edhe shërbime të tjera (p.sh. fotografim për fotografi biometrike të formatit të pasaportës, shërbim VIP në një ambient komod, etj.)”.

Tashmë procedura e aplikimit për viza pune mund të bëhet edhe ndërmjet uefaqes së kontraktorit “VisaMetric”.

“Deri në fillim të shtatorit aplikimi duhet të bëhet drejtpërdrejtë në ambasadë”.

Por nga informacionet e Ambasadës së Gjermanisë theksohet se tashmë janë rezervuar thuajse të gjitha terminet.