Zgjedhjet serbe të 3 prillit mund të mbahen në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi e ka lënë të hapur mundësinë e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill.

Por siç thotë ai, qeveria serbe duhet t’i dërgojë kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës, transmeton Indeksonline.

“Beogradi ka pranuar ta përdorë zyrën ndërlidhëse për ta dërguar një kërkesë të tillë”, ka thënë Bislimi

“Nuk i takon Qeverisë së Kosovës t’i kufizojë në asnjë mënyrë të drejtat e qytetarëve që kanë të drejtë vote në Serbi. Tashmë është çështje marrëveshjeje”, tha Bislimi.

Bislimi bëri të ditur se mbledhja e votave për zgjedhjet serbe do të bëhet vetëm “nëse arrihet një marrëveshje”.

“Do të pajtoheni me mua se duhet një marrëveshje sepse nuk po nënshkruani një marrëveshje për 20 vitet e ardhshme, por deri në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kontekst, Qeveria e Serbisë duhet t’ia dërgojë një kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkonte ndihmë për mbledhjen e votave në territorin e Kosovës”, tha Bislimi, duke theksuar se vendet e QUINT-it dhe emisari europian Miroslav Lajçak kanë ofruar mbështetjen e tyre për këtë.

“Në këtë kontekst, z. Kurti tha se është në kontakt të ngushtë me vendet e QUINT-it në përpjekje për ta zbatuar këtë, por me kusht që kjo marrëveshje ta garantojë integritetin territorial të Kosovës dhe sovranitetin e vendeve dhe si rezultat do të bëhet lehtësimi i mbledhjes së votave”, tha ai.

Tutje Bislimi tha se pret që Beogradi ta kontaktojë Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.

Bislimi tha se Qeveria e Kosovës dëshiron të mos i kufizojë kurrë qytetarët që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.

“Ato duhet të mbahen gjithmonë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe marrëveshjeve që theksojnë qartë integritetin territorial dhe qartësojnë se zgjedhjet mbahen për qytetarët jashtë territorit të Serbisë që kanë të drejtë vote”, tha zëvendëskryeministri.