Sindikatat e punëtorëve të Telekomit dhe të Postës kanë paralajmëruar grevë urie, nëse nuk ndërmerren veprime nga ana e Qeverisë, për të nxjerrë këto dy ndërmarrja publike nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhen.
Gjatë ditës së djeshme me 21 janar, ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomi, Zeqir Kiqina dhe ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Postës, Xhevdet Smakiqi kanë mbajtur takim me dy kryetarët e Sindikatave të Punëtorëve të Postës dhe Telekomit, Lamih Balaj dhe Bujar Shalaj.
Sipas një njoftimi për media, në këtë takim është diskutuar për gjendjen e rëndë në të cilën gjendet këto dy ndërmarrje publike.
Sipas menaxhmentit dhe sindikatave të Postës dhe të Telekomit, zgjidhja e vetme e situatës së rëndë në të cilën gjenden, sipas tyre, është te shkaktari, Qeveria e Kosovës, si aksionar që nuk ka kryer obligimet ndaj këtyre dy ndërmarrjeve.
Nga ky takim janë nxjerrur disa pika se si do të veprohet më tutje.
“Ekzekutimi i pagave për të dy ndërmarrjet Publike do të bëhet i sinkronizuar që nëse ekzekutohen pagat e Telekomit për secilën kategori në cilën do datë të muajit, menjëherë ditën e nesërme (në varësi të ekzistimit të kesh-it, por jo më larg se tjetrën ditë të punës), do të ekzekutohen për punëtorët e Postës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është kërkuar që të shtohet disiplina në punë e të gjithë punonjëseve dhe se opsioni për të protestuar në vendin e punës, sipas tyre, nuk është strategjia e duhur.
“Nuk do të lejohet cenimi dhe pasiguria, si dhe mirëqenia e rreth 4 mijë punonjësve të të dy ndërmarrjeve tona publike, asete jetike të shtetit të Kosovës dhe nuk do të lejohet bllokimi i mëtutjeshëm i llogarive bankare, as nga Qeveria dhe as nga Operatorët Privat, si dhe as nga Z- mobile”.
Ndërsa në fund të komunikatës thuhet se sindikatat do të intensifikojnë veprimet e tyre, deri në grevë urie pranë Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrit të Ekonomisë.