Sot, në hapësirat e QIKSHN-së, u realizua mbyllja me shumë sukses e vitit shkollor. Ashtu siç e filluam në shtator të vitit të kaluar, erdhi koha për të përmbyllur këtë vit akademik në shkollat tona. Ceremonia ishte e veçantë dhe me një karakter kombëtar, falë pranisë së Lulzim Jasharit, djalit të komandantit legjendar, Adem Jashari. Z. Lulzim erdhi i shoqëruar nga bashkëluftëtari i babait të tij, z. Ahmet Zabeli, z. Emrush Haxhiu dhe deputeti z. Enver Dugolli.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe organizatori i turnireve “Adem Jashari”, z. Nasuf Xhylani, i cili ka qenë një figurë kyçe në organizimin e këtyre eventeve për shumë vite. Prania e madhe e prindërve në ceremoninë e ndarjes së certifikatave dhe dhuratave nga Dyqani familjar i produkteve ushqimore “Balkan Boden” në Charlottenberg të Suedisë, me pronar shqiptar, ishte gjithashtu e rëndësishme. Falënderime të veçanta i shkojnë z. Hisen Mëziu për përkrahjen e tij edhe këtë herë!
Fjalën e rastit e mbajtën fillimisht mysafirët, të cilët vlerësuan lart punën e Qendrës dhe të dy shkollave që funksionojnë prej shumë vitesh, duke ofruar mësime në aspektin kombëtar dhe fetar. Kryetari i QIKSHN Norvegji, z. Fatmir Shabani, i përshëndeti të pranishmit dhe mysafirëve nga Kosova u dhuroi mirënjohje dhe pllaka nderi.
Mirënjohje iu ndanë edhe gjithë mësimdhënësve dhe disa nga aktivistët që kontribuojnë në çdo event të organizuar në këtë qendër të madhe shqiptare. Për fjalën e rastit u ftuan edhe mësimdhënësit e dy shkollave, ku z. Ramush Zharku përshëndeti mësimdhënësit për kontributin e tyre në mësimdhënie. Takimin e përshëndetën gjithashtu imami i QIKSHN-së, Berat Hashani dhe redaktori i Radio Rilindjes, z. Alush Balichi.
Në përfundim të ceremonisë, kryesia e QIKSHN-së solli ëmbëlsirën e preferuar, duke e bërë traditë që organizime të tilla të përfundojnë me ëmbëlsira dhe pije freskuese. Programin e moderoi z. Metush Bajrami, njëherësh koordinator i dy shkollave, ndërsa fotografitë u realizuan nga fotografi profesionist, z. Fehmi Sejdijaj./OkarinaPress/