Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka marrë një pikë ndaj Zvicrës, duke barazuar 1:1 në stadiumin “St. Jakob Park”në Bazel. Përkundër barazimit, nga Grupi I kualifikues për “Euro 2024”, Zvicra dhe Rumania kualifikohen në festivalin më të madh futbollistik në Evropë.
Kosova kishte shumë mungesa në përballje me helvetikët, por futbollistët dardanë treguan karakter dhe nuk u ndalën asnjëherë deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit portugez. Ruben Vargas realizoi në minutën e 48-të, kurse barazoi Muhamet Hyseni në minutën e 82-të pas asistimit maestral të Mërgim Vojvodës.
Kosova kishte edhe përkrahjen e mbi 20 mijë shikuesve shqiptarë, të cilët krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme përgjatë gjithë ndeshjes.
Për Kosovën merr fund ëndrra e kualifikimit në Gjermani, mirëpo jo edhe e futbollistëve të rinj të cilët dëshmuan karakter dhe vendosmëri që me të drejtë, ajo ka të ardhme të ndritur.
Kosova do ta luajë edhe ndeshjen e fundit të këtij cikli eliminator, pasi më 21 nëntor e pret Bjellorusinë në stadiumin ikonik “Fadil Vokrri” në Prishtinë./okarina press/