Xhevat Prekazi, me prejardhje nga Mitrovica, ish-futbollist i Partizanit, Hajduk Splitit dhe Galatasarayt, ka thënë se beson se Kombëtarja e Serbisë e drejtuar nga Dragan Stojkoviq mund të shënojë sukses të madh në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Në një intervistë për “Kosova Online”, Prekazi që jeton në Beograd, ka folur për karrierën e tij në futboll, fillimet e tij në Mitrovicë, transferimin te Partizani i Beogradit, Hajduku i Splitit dhe kohën e tij te Galatasaray, shkruan FrontOnline
Sa i përket vizitave në qytetin e tij të lindjes, Prekazi thotë se shkon rrallë.
“Vitin e kaluar isha për pak atje. Pashë tre nga miqtë e mi nga rruga. Pjesa tjetër fatkeqësisht nuk është gjallë. Nuk kam parë askënd nga Remonti, përpos Miletoviqit që është këtu në Beograd”, ka deklaruar Prekazi.
I pyetur se a e shikon futbollin në Serbi dhe Kosovë, ai tha:
“Jo, nuk e ndjek fare”.
Serbia merr pjesë sivjet në botëror, dhe pritjet e Prekazit janë të mëdha.
“Para ndeshjes me Portugalinë, askush tek unë nuk besonte në fitore dhe unë thashë se ndoshta do t’i mundim. Kur pashë skuadrën e Portugalisë, thashë se do të fitojmë. U binda dhe kjo ndodhi. Besoj se do të jetë gjëja më normale që Serbia të ketë sukses të madh. Kur lojtarët besojnë te trajneri, bëhet gjysma e punës. Sa i përket trajnerit, ai ka karizimin e duhur dhe askush nuk mund t’i përzihet. Me gjithë zemër, dua që ai të arrijë sukses të madh”, shtoi Prekazi mes tjerash.