Policia italiane ka arrestuar një person të dyshuar si vrasësin e 27-vjeçarit shqiptar në Itali Santino Xhyra. Autori i dyshuar është arrestuar gjatë natës, raporton Rai News, duke shtuar se bëhet fjalë për një tjetër shqiptar të quajtur Shaban Fejza 39 vjeç.
Hetuesit italianë kanë zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes. Shaban Fejza kishte shkuar për t’i kërkuar qiranë e banesës Santino Xhyrës, i cili jetonte me një shok tjetër.
Sikurse raportohet, qiraja nuk ishte paguar prej disa kohësh. Vetë Shaban Fejza ishte në rolin e ndërmjetësit për të kërkuar pagesën e qirasë, pasi nuk është pronari i banesës.
Por mes të dyve pati debat verbal. Shaban Fejza e goditi me shuplakë 27-vjeçarin Xhyra, ndërsa ky i fundit u kundërpërgjigj me grusht. 39-vjeçari u largua dhe u rikthye në banesën e Santino Xhyrës i armatosur, duke e qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt.
I riu me origjinë shqiptare Santino Xhyra u vra me 3 plumba pasditen e së enjtes në lagjen Liberta të Barit.
Santino Xhyra u dërgua në spital me një automjet privat, por nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve që kishte pësuar.
/RTV-Okarina/