Fotografi nga Skenderaj, Sefer Aliqkaj po vazhdon të bëjë krenar Drenicën dhe gjithë Kosovën me punën e tij të shkëlqyeshme që po bënë në promovimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe bukurive të shumta natyrore të shtetit tonë, shkruan Okarina Press.
Së fundi mjeshtri i fotografisë Sefer Aliqkaj bashkë me fotografin Arian Mavriqi nga Kamenica kanë mbajtur ekspozitën e tyre në Vjenë nën organizimin e ambasadorit tonë atje, Lulzim Pllana.
Ai para diasporës sonë dhe diplomatëve nga shtete të ndryshme ka promovuar përmes fotografive heroizmin e familjes heroike Jashari, Prekazin,Skenderajn, Drenicën dhe luftën tonë çlirimtare në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, shkruan Okarina Press.
Postimi i tij i plotë:
“Në Vjenën e arkivave që dëshmojnë lashtësinë dhe trashëgiminë e pasur të popullit dhe kombit tonë shqiptar, sonte përmes fotografive prezantuam heroizmin e familjes heroike Jashari, Prekazin,Skenderajn, Drenicën dhe luftën tonë çlirimtare në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari.
Jashtëzakonisht i lumtur që ekspozimi i fotografive të realizuara nga unë dhe miku im Arian Mavriqi ngjalli emocione jo vetëm tek diaspora jonë e dashur por edhe tek ambasadorë e diplomatë nga shtete tjera që sonte morën pjesë në ekspozitën e organizuar nën përkujdesjen e Ambasadorit tonë, shkelqësisë së tij, Lulzim Pllana, të cilin e falënderova për realizimin e këtij projekti.
Faleminderit ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo, ambasadorit të Turqisë, Ozan Ceyhun dhe diplomatëve tjerë nga shtete të ndryshme që me prezencën e tyre na nderuan pamasë.
Ky projekt i Ambasadorit Pllana është shembull konkret i ruajtjes dhe promovimit të historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore tek të rinjtë e diasporës sonë në njerën anë dhe ngritjes së imazhit të shtetit tonë në tregun evropian të vlerave.
Faleminderit të gjithëve!”, ka shkuar fotografi i njohur Sefer Aliqkaj.