Një paqe e përhershme në mes Kosovës dhe Serbisë, ende është largët. Por, Kosova vazhdon të jetë një ambient mjaft i favorshëm për Serbinë me të bërit biznes, shkruan Periskopi.
Tregu në Kosovë nga muaji në muaj po ‘bombardohet’ më mallra të shtetit fqinjë verior, ani pse vetëm para pak javësh kryeministri Kurti pati deklaruar se ‘ jemi të kërcënuar më luftë nga Serbia’.
Këtë e dëshmon edhe vlera vjetore e importit ndër muaj.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës që i ka parë Periskopi, shihet se në muajin e kaluar kanë hyrë mallra nga shteti verior në një vlerë prej 31.7 milionë euro, duke e lënë pas muajin korrik, i cili shënonte një vlerë prej 30.1 milionë euro. Pra, siç duket në tabelë është edhe muaji më shifrën më të lartë në këtë vit. Vitin e kaluar importi më i lartë nga Serbia ka qenë në tetor, në një vlerë prej 26.5 milionë euro. Në vitin 2020, më i larti ka qenë në muajin tetor në një vlerë prej 20.9 milionë euro, në vitin 2019 importi më i madh ka qenë në një vlerë vetëm prej 647,777.39 eurove.
Pra, pas një rënie të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, fqinji verior gjeti përsëri teren edhe nën qeverinë e Albin Kurtit, dhe kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 Janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro.
Edhe në vitet tjera, Serbia e pushtoi ngjashëm tregun kosovar me mallrat e saj. Ajo eksportoi 285 milionë e 300 mijë euro në vitin 2014, 368 milionë e 200 mijë në vitin 2015, 382 milionë e 100 mijë në vitin 2016 dhe 387 milionë e 600 mijë në atë 2017.
“Kulmi” u arrit në vitin 2018. Serbia dërgoi e Kosova mori nga atje produkte në vlerë të hiç më pak se 449 milionë e 900 mijë euro – më së shumti prej 2008-s.
Pushtimit ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10% së pari, e pastaj 100% që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019.
Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s’po pranohej assesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase.
Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.
Ndër veprimet e para që mori kryeqeveritari i ri, atë kohë, Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë në qershor të 2020-s. Fqinji verior, dërgoi përgjatë vitit 2020 produkte në vlerë prej 190,980,000 euro.