KQZ-ja mblidhet sot, pritet të caktohet kohëzgjatja e fushatës parazgjedhore dhe të miratohet plani operacional

 

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) do të mblidhet sot për të marrë vendimet e para në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme (14 shkurt) të cilat u vendosën të mërkurën mbrëma nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

 

 

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se KQZ-ja fillimisht do të vendos për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore.

“Sot do të mblidhet Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për të marrë vendimet e para në kuadër të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. KQZ-ja, fillimisht vendos për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore, duke i shkurtuar këto afate dhe përshtatur me ditët që do t’i kemi në dispozicion për përgatitjen e zgjedhjeve si dhe do të miratohet plani operacional, ku janë të listuara të gjitha aktivitetet që do të kryhen nga KQZ-ja që nga dita e parë dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi.