30 fëmijë turpërojnë Kurtin e Osmanin: Një shtet s’po arrin ta çelë një spital të çelur

Ekziston një spital brenda QKUK-së i cili është hapur që shtatë muaj, por që ende nuk ka pritur as edhe një pacient. Përveç pacientëve, në të, nuk ka shkelur këmba e asnjë mjeku. “Operacioni” i vetëm që është bërë në spitalin e ri të Pediatrisë në QKUK është prerja e një shiriti me ngjyrë të kuqe nga gërshërët e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

I vetmi ‘operacion’ i cili është kryer që shtatë muaj në spitalin e ri të Pediatrisë në QKUK, është ai i presidentes Vjosa Osmani e i kryeministrit Albin Kurti. Këta dy, më 13 shtator të vitit të kaluar e prenë shiritin që sinjalizonte hapjen e spitalit “Sheikha Fatima”, donacion 22 milionë euro i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Që nga ajo ditë, as edhe një kontrollë mjekësore, e mos të flasim për intervenime, nuk është kryer në këtë spital.

“Si hotel…, si hotel”, pëshpëriti dikush nga stafi i krerëve të shtetit sapo hynë brenda hapësirave të këtij spitali.

Të entuziazmuar me gjithë investimin e arabëve qenë edhe vetë krerët. Aparatura të tilla si në këtë institucion, vendi nuk kishte pasur më parë. Por gjithçka aty, ka mbetur e paprekur.

Spitali i cili u përurua me bujë që 7 muaj ofroi zero shërbime

Kosova nuk po arrin të ndërtojë një sistem të mirëfilltë shëndetësor. Ka vite me radhë që sistemi ynë vuan nga defekte të shumta. Mijëra kosovarë adresë të vetme për shërim i kanë vendet perëndimore.

Në mëshirë të fatit kanë mbetur edhe 30 fëmijë me probleme të zemrës të cilët shpresë të vetme për shërim për momentin e kishin ardhjen e disa mjekëve të huaj nga Italia e Amerika të cilët do t’i operonin ata. Por shteti nuk po ua mundëson këtë gjë për momentin. Kjo për arsye të mungesës së sallave ku do të operoheshin këta fëmijë, jo se mjekët e huaj nuk duan të vijnë në Kosovë.

Kësaj radhe mjekët e huaj do të vinin në Kosovë në kuadër të një misioni humanitar të organizatës “Goft of Life internacional”.

Por edhe po të vinin në Kosovë këta mjekë, atëherë nuk do të kishin sallë se ku t’i operonin këta fëmijë.

Detaje për këtë rast ka dhënë për Nacionale.com, prof. Mazllum Belegu nga organizata GOLI.

“Kemi pasë probleme me licenca dhe lista. Por e kemi shty pak ardhjen. Ne e kemi pasur një takim online, e të premten e kemi prapë. Besoj që do të normalizohet e gjithë kjo situatë”, thotë Belegu.

Ai sqaron problemet për mos-ardhjen e këtyre mjekëve të huaj në Kosovë.

“Salla nuk punonte. Eksistonte rreziku me e përdorë një sallë edhe për të rritur edhe për fëmijë sepse derisa një fëmijë ishte duke u trajtu, me ardhë dikush me ndonjë infarkt akut, që duhet menjëherë të intervenohet dhe për shkak të pritjes, pacienti ka gjasa të përfundojë tragjikisht. Kështu që vendosëm që më mirë është të shtyhet”, ka deklaruar Belegu për Nacionalen.

Thirrje për funksionalizim të spitalit të Pediatrisë

Belegu thekson se Kosova ka nevojë urgjente që të funksionalizohet spitali i pediatrisë, jo vetëm për hapësirë por edhe për kushtet të cilat i ofron ky spital.

“Po të ishte në funksion spitali Pediatrik, i riu, do të funksiononim shumë më lehtë. Unë nuk e di përse nuk po funksionalizohet. Unë këtë punë nga viti 2009 e punoj. U kam thanë atëherë që nuk është zgjidhja që të sjellim ekipe, e as me i çu fëmijët dika. Zgjidhja është me i bo njerëzit tanë. Nisjani tash iu pata thanë “po, po, po”. E po e shohim deri tash ende nuk janë ba ekipe”, thotë profesor Mazllum Belegu.

E anëtari i komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se shumë fëmijë të cilët për shumë patologji dërgohen jashtë vendit e që shpenzohen shumë para nga familjarët e tyre e nga shteti do të mund të trajtoheshin në këtë spital.

“Prej fazës së diagnostikimit e deri në fazën e trajtimit kanë mundësi që të trajtohen këtu. Kolegët e mi, mjekët duhet të trajtohen, sepse ne kemi mjekë të jashtëzakonshëm që do t’ia dilnin për mrekulli të gjithë kësaj punë”, thotë Haxhiu.

Opozita: Përurimi i Pediatrisë u bë për poena politike

Nga opozita kosovare theksojnë se krerët e shtetit u ngutën në përurimin e Pediatrisë. Kjo sipas Bekim Haxhiut u bë veç për poena politike.

“Spitali Pediatrit është inaugurua më 13 shtator pa u bë pranimi teknik dhe pa e pasë lejen për përdorim. Dikush do të duhej të jepte llogari dhe përgjegjësi për mos-funksionalizimin e këtij spitali. Aparaturat po shkojnë duke u prishë, pacientët po vendosin të mos marrin shërbime dhe operacionet që kanë qenë të planifikuara e që janë shumë të rëndësishme për jetën e pacientëve po presin. Ky është dëm i madh që i është bërë pacientëve. Mendoj se prokuroria duhet të merret me këtë çështje sepse nëse është përdorë spitali pediatrik për fushatë, atëherë është edhe më gabim. Në spitalin e ri, gjithçka është moderne, sallat operative, të gjitha janë me standarde të larta dhe të gatshme për të pritur pacientë”, sqaron ai.

E më 21 mars të vitit 2016 ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, atë kohë ministre e Emirateve të Bashkuara Arabe, kishin vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së. Marrëveshja për ndërtimin e tij është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite të Jahjagës në Abu Dhabi.

Ndërsa, realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018. /Nacionale.com/