Përkundër kritikave për cilësi të arsimit, Raporti i BE-së megjithatë ka vlerësuar se ka pasur progres të kufizuar në këtë sektor, ku përmendet përpjekja për përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, trajnimet e MASHTI për ekipet për fëmijët me nevoja të veçanta dhe punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim për anëtarësim në ENQA dhe EQAR.
Për shkak të adresimit të pjesshëm të rekomandimeve nga viti i kaluar, Komisioni Evropian ripërtëritë të njëjtat rekomandime, duke nënvizuar se Kosova duhet të zbatojë mekanizmat e sigurimit të cilësisë, përfundimin e implementimit të kornizës së re kurrikulare për arsimin parauniversitar për tekste cilësore dhe trajnim të qëndrueshëm për mësimdhënësit.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, deklaron se duhet të punohet shumë për të përmirësuar cilësisë në arsim, por që shprehet se si qeveri janë të përkushtuar në këtë drejtim.
Nagavci thotë se përkundër qeverisjes relativisht të shkurtër në këtë raport janë shënuar disa zhvillime pozitive, teksa potencon se të gjitha rekomandimet që janë dhënë do të përfshihen në Planin Strategjik të Arsimit për vitin 2022-2026.
“Në lidhje me cilësinë në arsim të gjithë jemi dëshmitar se duhet të punojmë akoma shumë për të përmirësuar cilësinë në arsim dhe si ministri e Arsimit dhe qeveri e Republikës së Kosovës natyrisht që jemi të përkushtuar në këtë drejtim. Më gëzon fakti që ndonëse periudha e qeverisjes sonë është relativisht e shkurtër tashmë janë shënuar edhe në raport për vendin disa zhvillime pozitive në fushën e arsimit, konkretisht është përmendur si një gjë pozitive përzgjedhja e anëtarëve të KSHC-së…
Rekomandimet tjera janë pjesë e punës sonë, planifikimit që tashmë veçse e kemi bërë si ministri dhe të njëjtat po adresohen edhe në planin strategjik të arsimit për vitin 2022-2026 dhe po ashtu janë adresuar edhe në planifikimin e buxhetit i cili do të mundësojë shënimin e hapave pozitiv për vitin e ardhshëm”, thotë ajo.
Organizatat që merren me monitorimin e fushës së arsimit theksojnë se të gjeturat e këtij raporti duhet të merren seriozisht nëse synohet përmirësimi i cilësisë së arsimit.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë adresimin e rekomandimeve të raportit si pikënisje për përmirësim të qëndrueshëm të cilësisë në arsim.
Në Raportin e BE-së theksohet se shteti investon buxhet shumë të ulët në fushën e arsimit apo vetëm 4.7 për qind të GDP-së, e për këtë Qehaja thotë se rritja e buxhetit duhet të jetë prioritet i qeverisë.
“Ministria e Arsimit duhet të ketë përkushtim institucional që të prioritetizojë një reformë më të thellë në arsim, e pastaj kjo reformë do të na sillte outpute që i përgjigjen edhe kërkesave specifike të agjendës evropiane. Ndërkaq të përgjigjurit vetëm në agjendën evropiane kam frikë që do të na anashkalojë në shumë prioritete të tjera që në të vërtetë prekin sistemin tonë arsimor.
Fatkeqësisht investimi në arsim është kryesisht në kapital njerëzor, pra është në paga dhe mëditje, jo në investime të vërteta që do të rrisnin funksionimin e mekanizmave qoftë si ngritje të kapaciteteve, qoftë si infrastrukturë. Pra, të gjitha këto na rikthejnë tek i njëjti problem përgjatë gjithë sektorit që është një shfrytëzim hiç fare efiçientë i buxhetit për arsimin dhe hiç fare i destinuar për problemet e vërteta të arsimit”, thotë ai.
Në anën tjetër edhe drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Petrit Tahiri, thotë se kanë qenë të pritura rekomandimet e dhëna në Raportin e BE-së, teksa thekson se të njëjtat duhet të adresohen nga ana e MASHTI në Planin Strategjik të Arsimit 2022-2026.
“Duke marrë parasysh që për momentin jemi duke kaluar në proces të zhvillimit të planit strategjik të arsimit të Kosovës për pesë vitet e ardhshme, po ashtu edhe është duke u përgatitur plani strategjik në përgjithësi në Kosovë, atëherë mendojë që është koha e duhur që këto rekomandime të adresohen edhe në planet strategjike dhe të paraqiten aktivitetet apo edhe hapat, masat konkrete të cilat duhet të ndërmerren…
Prapë konsideroj që është ngritja e cilësisë në arsim dhe zbatimi i kurrikulës si dy prej elementeve ndoshta kryesore që kishin me sigurua ndoshta në vitet e ardhshme të kemi një rezultat më të mirë”, thekson ai.
Ndër rekomandimet e tjera në Raport është edhe rritja e ofrimit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe rritja e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
\RTV-Okarina\