Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Nju Jork tha se po heton Organizatën Trump “në cilësi kriminale”.
Një zëdhënës i prokurores Letitia James tha se hetimet në kompaninë e pronave të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, “nuk janë më thjesht civile”.
James ka qenë duke shqyrtuar marrëdhëniet financiare të Trumpit edhe para se ai të merrte detyrën e presidentit, në janar të vitit 2017.
Trump, republikan, e mohon keqbërjen dhe thotë se hetimet nga një prokurore demokrate janë hakmarrje politike.
“E kemi informuar Organizatën Trump se hetimet nuk janë më thjesht të natyrës civile”, tha për BBC-në zëdhënësi i Jamesit, Fabien Levy, duke mos dhënë detaje të tjera.
Ai nuk tregoi se çfarë i ka shndërruar hetimet nga civile në kriminale dhe nëse vetë Trump është personalisht i përfshirë në ndonjë akuzë.
Rastet civile zakonisht kanë të bëjnë me dëmtimet e individëve dhe palëve private, përfshirë bizneset.
Ligji penal zbatohet në rastet kur dëmi mendohet se prek shoqërinë në përgjithësi, përfshirë shtetin.
James i ka nisur hetimet civile në mars të vitit 2019, me pretendimet se Trump ka fryrë vlerën e aseteve të tij në banka kur ka kërkuar kredi dhe i ka nënvlerësuar ato për të ulur taksat e tij.
\RTV-Okarina\