Zyra e Kryeministrit jep detaje për takimin e Kurtit me Abdixhikun

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të shoqëruar nga nënkryetari i parë, Lutfi Haziri.

Kryeministri Kurti e njoftoi z. Abdixhiku për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

 

 

Abdixhiku, ia shprehu kryeministrit Kurti pikëpamjet e tij dhe të subjektit që udhëheqë lidhur me dialogun, të cilat ia dorëzoi edhe në formë të shkruar. Ai theksoi se LDK-ja do të përkrahë procesin e dialogut nëse do të respektohen parimet e prezantuara në dokumentin e dorëzuar dhe rezultat përfundimtar do ta ketë njohjen e ndërsjellë.

Kryeministri Kurti dhe kryetari i LDK-së u pajtuan që diskutimi rreth dialogut të vazhdojë edhe në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri e vlerësoi rëndësinë e  bashkëpunimit pozitë-opozitë.

Takimi i sotëm ishte në vazhdën e takimeve të kryeministrit Albin Kurti me liderët e partive opozitare, me qëllim të bashkëpunimit të mirëfilltë për çështje me interes të Republikës së Kosovës.