Faturat e rrymës po kalkulohen me të shtrenjtën, me gjithë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi zbatimin e tarifave të reja.
Këtë për KOHËN e kanë konfirmuar përfaqësues të KEDS-it, pas pyetjeve të adresuara rreth mbajtjes apo jo të ndonjë takimi me zyrtarët e ZRRE-së për kthimin e faturimit të energjisë elektrike me tarifat e vjetra, pas aktvendimit gjyqësor.
“KEDS-i është duke i aplikuar tarifat e energjisë elektrike që kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt, në bazë të vendimit të ZRRE-së, si organ vendimmarrës dhe rregullator. E dini se KEDS-i është kompani ekzekutive dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse sa u përket tarifave. Për çdo hollësi tjetër ju lutem drejtojuni ZRRE-së”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.
Moszmbrapsjen nga vendimi mbi tarifa të reja, zyrtarët në ZRRE e kanë arsyetuar me interpretimin se aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i ekzekutueshëm.