ZRRE-ja nuk e zbaton vendimin e Gjykatës, qytetarëve u shpërndahen faturat me çmimin e rritjes së energjisë

Pavarësisht që Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike, KEDS ka vazhduar shpërndarjen e faturave të energjisë me tarifa të shtrenjtuara, shkruan Demokracia.com.

ZRRE-ja nuk po e respekton vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka kërkuar masë të përkohshme ndaj vendimit të saj për ngritje të çmimit të energjisë.

Kjo shihet edhe në faturat e fundit që u janë dërguar qytetarëve, shkruan Demorkacia.com.

Ky vendim i gjykatës ka ardhur pas një padie që e ka ushtruar Partia Demokratike e Kosovës për konflikt administrativ.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative në konfliktin administrativ të paditëses-propozueses Partia Demokratike e Kosovës kundër të paditurës-kundërpropozueses ZRRE me seli në Prishtinë, për shkak të anulimit të vendimit Nr.077/22 të datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 me propozim për shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, jashtë seancës me datë 08.04.2022 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses-propozueses PDK-së”, thuhej në vendim.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës në mars kishte parashtruar Padi kundër Vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Në njoftimin e PDK-së thuhej se “vendimi i ZRrE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit”.

Kurse, gjatë ditës së sotme përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë edhe kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kallëzimi Penal është bërë për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 077/22 të ZRRE-së për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.