Zhvillimet e fundit në veri/ Sulmet ndaj policisë së Kosovës vlerësohen si akte terroriste (Foto)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për media për të raportuar sa i përket katër sulmeve të fundit ndaj policisë së Kosovës ne veri.

Kreu i MPB-së ka deklaruar se sot rreth orës 07:40 ka ndodhë një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

“Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dorë dhe AK-47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policor, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Grupe të ndryshme në 3 ditët e fundit kanë realizuar katër sulem në atë zonë”, ka thënë Sveçla.

Ai ka treguar se sulmi i parë ka ndodhë me 13 prill duke vendosur iriq metalik në rrugën nacionale, në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim që të pamundësojnë punën e policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të policisë.

Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës.

Sulmi i tretë tashmë është publik, ka ndodhë mbrëmë ku në afërsi të pikës ku qëndron policia që bënë sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri.

Dhe sot drejtpërdrejtë janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policor për në pikat kufitare. Ky ishte një ndërrim i rregullt i policisë, i cili ndodhë në orën 08:00.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës por posaçërisht i PK-së që të vendos rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë nga grupe të caktuara të cilat mbështeten drejtëprejtë nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre”, ka thënë ai.

Ai thotë se qëllimi i institucioneve të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj, pa kurrfarë dallimi, do të vazhdoi edhe më me ngulm. Ne do të jemi të suksesshëm në të drejtën tonë ndërsa paniku i palës tjetër, ku ky qëllim është duke iu prish planet, neve nuk na ndalë e as nuk na tremb”, ka thënë ministri.

Ndërsa kreu i Policisë, Samedin Mehmeti ka thënë se të gjitha njësitë policore janë të angazhuara për të zbuluar të gjitha këto raste. Ai ka treguar detaje për të gjitha sulmet e fundit, duke publikuar edhe foto të provave të sigluara në vendin e ngjarjes.

Drejtori i policisë dyshon se këto sulme po ndodhin për të penguar policinë në luftën që po bënë kundër kontrabandës në veri.

Ndërkohë Sveçla është optimist që shumë shpejt policia do të vije me rezultate sa i përket pjesëtarëve të këtij grupi terrorist.