VV: Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur absurd vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili nuk e ka lejuar kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Liburn Aliut, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.

LVV ka thënë se ky institucion ka vepruar “në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë”.

Eko 4
“Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:
“Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa nxori një vendim absurd, duke ia ndaluar kandidimin, kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bartësit të listës, Albin Kurti, si dhe kandidatëve tanë, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.
PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë.

Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike. Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik.
Kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik.

Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”, thuhet në reagimin e LVV.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që të certifikohen kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me përjashtim të atyre që kanë pasur probleme me ligjin.
Sipas ligjit, të gjitha palët që nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme. Palët brenda 24 orëve mund të dorëzojnë ankesat në Supreme dhe Gjykata më pas ka afat 72 orë që t’i përgjigjet ankesave të paraqitura.
Në vendimet e publikuara të martën, PZAP-ja njoftoi se ka refuzuar pjesërisht apelin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky organ, ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e pesë kandidatëve për deputetë të kësaj partie: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.

“Pranohet pjesërisht rekomandimi i ZRPPC-së, certifikohet lista e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, me përjashtim të kandidatëve të cekur”, thuhet në njoftim ku shtohet se “kandidatët e cekur në pikën një të diapozitivit të këtij vendimi, nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë”.
Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë