Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për t’i hapë rrugë gjykimit në mungesë të krimeve të luftës. Megjithëse pati debat, në mënyrë unanime të gjithë anëtarët e komisionit u shprehën pro tij, përveç deputetit nga Lista Serbe i cili në momentin e votimit doli nga salla.
Kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi tha se ky plotësim-ndryshim është mëse i nevojshëm për vendosjen e drejtësisë për krimet gjatë luftës. Sipas tij, kjo është kërkesë edhe e Prokurorisë Speciale.
Megjithëse u shprehën pro këtij plotësim-ndryshimi në parim, deputeti i PDK-së në këtë komision, Hajdar Beqa tha se kjo qasje e ndryshimeve emergjente nuk është e duhur.
Vërejtje për trajtimin me urgjence të këtij plotësim-ndryshimi dha edhe Driton Selmanaj nga LDK.
Ndërsa, Besnik Tahiri tha se AAK do të mbështesë këtë plotësim-ndryshim.
\RTV-Okarina\