Vjosa Osmani pritet në Parlamentin Evropian, merr mbështetje për liberalizim të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në Bruksel.Temë bisede mes tyre ishte çështja e liberalizimit të vizave, për të cilën po shpresohet se do të ketë ndonjë rezultat pozitiv në samitin e nesërm që do të mbahet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane”, ka thënë Osmani.

Osmani tha se me Metsolan pati një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor për vizat.

Paraprakisht në njoftimin e Presidencës u tha se në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit./RTVOKARINA/