“Vërehesh që je drenicak”: Rrëfime të trishta se si ‘shehri i madh’ po zhduk të folmet autentike

“Ka je ma vonë” dhe “mos u merakos ti për atë punë”.

Në kërkime delikate dhe të mbi-menduara për të nisur këtë artikull, thjesht ishte e pamundur të gjeja ndonjë mënyrë më mishëruese se ajo më lart.

Vështirë se dikush nuk do ta kuptojë prej nga vijnë ato shprehje, veç nëse keni qenë në komë, apo keni jetuar nën ndonjë shkëmb duke ndezur zjarrin me gurë në vitin e fundit.

Djaloshi nga TikTok-u, i njohur si Esat, kemi arsye të forta të mos besojmë se do ta kishte botën nën këmbë, siç e ka tash, po të mos bëhej fjalë për stigmën shoqërore që vjen si rrjedhojë e të folmes karakteristike dhe autentike, e cila jo gjithmonë shikohet e përcillet pozitivisht.

I ngjashëm ishte reagimi sensacional pas kërkesës për të folur bërë në një televizion nga një qytetar nga Skënderaji. “A bon me folë?” – thoshte i ngrati, çka shkaktoi përqeshje masive përkundër që askush s’donte të diskutonte arsyen prapa asaj përqeshjeje.

Në një rast tjetër kur një qytetar thotë “e kanë votu votën” linçimi publik e çon drejt ikjes nga atdheu i tij.

Por, i stigmatizuar – vlen ta themi – ishte edhe ish kryetari i Mitrovicës nga Vetëvendosje, z. Agim Bahtiri.

 S T I G M A 

Epo, shumë… e drejtë të themi, pasi bëra një hulumtim, duke intervistuar subjekte nga rajone të ndryshme të Kosovës, se qytetarët përnjëmend stigmatizohen, madje keq.

Në diskutime e sipër, mësova problematika edhe më komplekse se që mendoja t’i trajtoja fillimisht.

Si ky më poshtë, shembull, nga qytetari gjilanas, Stefan Aliti. Stefani u përgjigj si vijon, kur e pyeta nëse përballet me stigmë në Prishtinë, për shkak të të folmes autentike prej vendit nga vjen, Gjilanit:

Aspak nuk ndihem i stigmatizuar pasi që jam adaptuar me rrethin ku punoj (e ka fjalën për mënyrën e të folurit, që domethënë e ka adaptuar të folmen lokale prishtinase), me shoqërinë, etj.. Por në fillim, p.sh. në studime ishte e vështirë, pasi që ne i kishim disa emërtime të ndryshme për fjalët që përdoreshin në kryeqytet dhe përqesheshim me të madhe. Disa fjalë si psh ‘henez’ që përdoret në Gjilan, nuk përdoret në Prishtinë. Prishtinasit të drejtoheshin me pyetjen si i thoni djathit në Gjilan? Këto kanë qenë disa nga eksperiencat e mia në studime.

Vetëm nga kjo përgjigje mësova shumë më shumë se që prisja. Ideja qenka se të folurit autentik po ndryshuaka me të ardhur në Prishtinë, vend i cili është shndërruar në pikë tërheqëse të të gjitha rajoneve.

Tërheqja drejt subkulturës kryeqytetase ka çmimin e saj. E folura juaj duhet të jetë brenda ‘normave të përcaktuara’,  përndryshe do ta keni të vështirë të socializoheni nëse përdorni fjalë si ‘henez’.

Me këtë teorinë e ‘normave të përcaktuara’ sigurisht se do të pajtohej plotësisht autori Veton Surroi, i cili në recensionin që i bënte librit të Baton Haxhiut, ‘Lufta Ndryshe’, vite më parë, përdori elemente interesante të të shpjeguarit të asaj që pretendohej të ishte kritikë mbi librin. Surroi pati thënë se ishte dashur të fliste me përkthyes kur Haxhiu, kishte ‘rënë’ në Prishtinë nga Drenica për t’u dokë në redaksinë e ‘KOHA’, pasi e folura e Haxhiut përfshinte fjali si “nukaka” në kuptimin e “nuk qenka!”

Me një fjalë… shenjat ishin gjithandej, vetëm duhej shikuar me kujdes. Sa janë gjasat ta dëgjojmë sot Haxhiun duke përdorur ‘nukaka‘ në vend të ‘nuk qenka’? Të vogla, për të mos thënë të pamundura.

Sfidat e tij me popullatën kryeqytetase për shkak të të folmes drenicase, i shpalosi edhe anonimi i mëposhtëm, i cili u shpreh:

Në bisedë e sipër, pavarësisht muhabetit serioz që ka qenë, kam pasë rast kur ka thënë (bashkëbiseduesi) se vërehesh që je drenicak, p.sh. në vend të ‘këtu’, thu ‘kty’, ‘është’ në të folur ‘ashtë’, ‘aty’ e thoni ‘atu’.”

Mbetet mister arsyeja pse qenka aq i rëndësishëm asimilimi gjuhësor prishtinas për subjektet që nuk vijnë nga ky vend.

E folura ndryshe prej asaj që konsiderohet ‘cool’ e me zanore të zgjatura kryeqytetase, të shkakton ankth social, sipas personit me inicialet “A.SH.”, që vjen nga Ferizaj, i cili tha:

Në fk (fakultet) jam stigmatizu pse jam i Ferizajt për shprehjet ‘pö’ dhe ‘jö’.”

Mëkati i parë në këtë botë, sipas ‘normave të përcaktuara’, qenka lindja në një vend që ka identitet ndryshe të të folurit nga ajo që grupacione të ndryshme nga vende ‘të qytetëruara’ e marrin përgjegjësinë ta gjykojnë si të folur të duhur apo jo të duhur.

Më së shumti ma kanë teshë kur kom ardhë me punu në Prishtinë, pasi kom thonë ‘eltemgji’ (sinonim i fjalës ‘tullusum’, e cila ka imunitet stigmatizimi sepse ‘të qytetëruarit’ e kanë konsideruar si të denjë për përdorim). Tani, kur pata thonë ‘çilësa’ në vend të ‘çelësa’, u pat shoku njoni“, thotë “A.Bi.” nga Gjakova.

E vëreni, apo jo? Fakti se jam i detyruar të përdori inicialet e subjekteve që janë prononcuar – sepse të gjithë janë të ndrojtur të flasin me emrin e plotë, për shkak se ndonjë prishtinas që i njeh mund ta lexojë këtë artikull – është verdikt në vete mbi situatën. Përveç heroit nga Gjilani në fillim, i cili me emër e mbiemër pranoi të fliste. Në bazë të eksperiencave me subjektet tjera, Stefan Aliti meriton medalje për guximin.

Nuk ka qenë e rrallë, madje shumë herë e përseritshme kur jam stigmatizu për shprehjet që i kam përdorur kur erdha në Prishtinë si student. Ne nga ana jonë kishim disa shprehje si ‘pa de’, ‘ja de’, ‘s’ban’, ‘a po vijsh’, ‘a po shkojsh’, ‘a po rrijsh”, që nganjëherë janë pranuar me tallje”, ka thënë tutje “A.B.” nga Malisheva.

Është interesante si asnjë person nga çdo provincë që mund të siguroja për ta kontaktuar, nuk i kishte shpëtuar stigmatizimit. Një gjë e përbashkët e tyre ishte se të gjithë kishin të paktën nga një eksperiencë të pakëndshme për shkak të të folmes.

Por cilat janë elementet që ndikojnë për një provincë të adaptojë mënyrën e vetë të të folurit?

Në bazë të asaj që thotë gjuhëtarja, Rina Kryeziu, të folmet e veçanta nga krahinat e ndryshme, mund të jenë në zhdukje e sipër.

Kjo pasi një prej elementeve kryesore të adaptimit të të folmeve specifike, në të kaluarën ka qenë “relievi dhe komunikimi i vështirë mes trevave të ndryshme”.

Në të kaluarën, komunikimi mes njerëzve të trevave të ndryshme ka qenë i vështirë, për shkak të relievit të vështirë. Kjo edhe ka bërë që të ketë dallime të theksuara mes të folmeve të trevave të ndryshme. Folësit i kanë zhvilluar më vete tiparet e të folmeve të trevave të veta“, thotë Kryeziu.

Shpesh ndodh që dikush ta ndryshojë të folmen e vet dhe ta përshtasë atë me të folmen e një grupi të caktuar, me dëshirën që të përfshihet në atë grup shoqëror. Për shembull, për të rinjtë e folmja e Prishtinës është shndërruar në një lloj vernakulari – shumë të rinj, sidomos studentët kur vendosen për studime në Prishtinë, tentojnë ta përafrojnë të folmen e tyre me të folmen e Prishtinës. Është një lloj ‘prestigji’ gjuhësor që është krijuar“.

Marrë parasysh përmirësimin e dukshëm infrastrukturor, komunikimi mes trevave sigurisht se është lehtësuar, andaj duket se po e përjetojmë periudhën e fundit të të folmeve autentike të rajoneve të ndryshme kosovare.

Të paktën një aspekt pozitiv mund ta nxjerrim nga krejt kjo. Me zhdukjen e këtyre të folmeve, do të zhduket edhe stigmatizimi, për të cilin kemi mundur të bëjmë shumë më shumë sa i përket edukimit kolektiv.  /Nacionale/