Vendet e QUINT-it godasin Qeverinë Kurti: Po e minon të ardhmen evropiane të Kosovës

Vendet e QUINT-it kanë reaguar sot lidhur me refuzimin e propozimit nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke thënë se Kosova është ajo që vendos.

Por në këtë reagim theksohet se janë të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i.

“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të cenojë aspiratat e saj evropiane”, kështu thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT-it, saktësisht të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

“Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të, janë angazhuar intensivisht me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit për të gjetur një zgjidhje pragmatike për t’u lejuar qytetarëve të Kosovës që kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë më 3 prill 2022”, thuhet në reagim.

“Ne e pranojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të vendos nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendit tjetër. Ndonëse ne vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të tregojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhet tutje në reagim.