Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ngushëlluar familjen Halilaj për vdekjen e Ziza Halilaj, nënës së dëshmorit Ragip Halilaj.
Kryetari Lladrovci mes të tjerash ka theksuar se nënat e heronjve janë vërtetë heroina, të cilat kanë dhënë shumë për luftën dhe lirinë e këtij vendi.
“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin se nëna heroinë, Ziza Halilaj, ka kaluar në amshim. Një nënë dëshmori e cila dha një pjesë të shpirtit për lirinë e vendit tonë.
Ragipi ishte një luftëtar lirie i cili medoemos frymëzimin dhe edukimin patriotik e mori nga një nënë e tillë siç ishte nëna Zizë.
Këto nëna dhe baballarë të dëshmorëve nuk po vdesin, ato po shkojnë në përjetësi tek më të dashurit e tyre, tek dëshmorët e kombit të cilët nuk kanë vdekur, kanë lindur në përjetësi me rastin e sakrificës për lirinë e atdheut”, shtoi tutje kryetari Lladrovci.