Ndërkohë, Kryesia e Partisë Boshnjake në Malin e Zi, në bazë të rekomandimit të Komisionit Kryesor, në seancën e sotme ka marrë vendim që deputetët e BS-së të votojnë për mosbesim në Qeveri, ka bërë të ditur zëdhënësi i BS-së Adel Omeragiç.
Ai rikujton se kryetari i BS-së, Ervin Ibrahimoviç, në seancën e Qeverisë ka treguar qartë se një përcaktim i tillë i prioriteteve do të shkaktojë një krizë të fortë politike, të cilën po e shohim sot dhe e cila do ta ndalë rrugën tonë evropiane, si prioritet kyç i Qeverisë së 43-të”.
Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë është kërkuar nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicinonin qeveritar dhe partive të tjera, për shkak të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend.
Nismëtarët e mosbesimit e kritikojnë qeverinë duke theksuar se në vend të ndjekjes së rrugës evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike. “Pas qeverisë së ekspertëve dhe (qeverisë) së pakicës, Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Danijel Zhivkoviç, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të presidentit Milo Gjukanoviç.
Kryeministri Abazoviq tha se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk ka të bëjë me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe.
“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas evropianizmit tani”, tha zoti Abazoviq.