Një ushtar vrojton mbi transhe ndërsa dëbora lartësohet mbi fushat përreth fshatit Krymske në lindje të Ukrainës.
Brenda llogores, një ushtar tjetër qëndron pranë një peme të vogël të Krishtlindjes. Përkarshi shihen zbukurimet dhe urime për festat.
Këtu është vija e parë e frontit të luftës së Ukrainës kundër forcave të mbështetura nga Rusia në rajonin e Luhanskut. Lëvizjet e trupave ruse pranë kufirit ukrainas kanë alarmuar Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë gjatë javëve të fundit, megjithëse ushtarët ukrainas thonë se janë të gatshëm për çdo veprim nga Rusia.
“Jemi të vendosur të qëndrojmë të patundur, nuk do të heqim dorë nga vendi ynë. Kemi luftuar për pavarësi për një kohë të gjatë. Ukraina ka 30 vjet pavarësi dhe do të mbetet e tillë për qindra vjet. Agresioni rus nuk na frikëson. Rusia është vend i madh, por sikurse thotë shprehja; sa më i madh të jetë dollapi, aq më shumë zhurmë bën kur bie, Ukraina do t’ia dalë. Jemi në gjendje lufte”, thotë Martin, emri i tij i luftës.
Por jo të gjithë kanë shpirtin luftarak të Martinit. Të afërmit e tij janë të shqetësuar për të.
“Prindërit dhe gruaja janë të shqetësuar. Tani je aty, më thonë ata, po sikur të shkosh afër Rostovit, më thonë; që është vetëm pak orë larg Rusisë, çfarë do të ndodhte?!”.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia mund të nisë një sulm të ri kundër Ukrainës në gjysmën e dytë të janarit, kur situata në terren do të jetë më e vështirë, duke e bërë më të lehtë për tanket dhe forca të tjera të blinduara të lëvizin me shpejtësi.
“Nuk planifikoj të qëndroj këtu përgjithmonë. Do të ndihmoj për të sprapsur sulmet ruse dhe të kthehem në shtëpi tek vajza ime, e cila do të më thotë; babi ti ia dole të ndalosh supërfuqinë”, thotë ushtari ukrainas nga llogorja.
Rusia ka kërkuar garanci sigurie nga Perëndimi për të zbutur krizën aktuale. Moska mohon se po planifikon një ofensivë të re ushtarake dhe akuzon Kievin për shtimin e forcave ushtarake në lindje të vendit.