Turqia ia arrin qëllimit, Suedia do t’i ekstradoj kurdët që i kërkon Erdogani

 

Një memorandum në limitet e historikes është nënshkruar në ditën e parë të Samitit të NATO-s në Madrid, ku Turqia i hapi më në fund rrugë Suedisë dhe Finlandës, për integrimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Mbi këtë marrëveshje u hodhën shumë dyshime se Suedia do të kishte lëshuar pe mbi disa kërkesa të Ankarasë, kryesisht në lidhje me Partinë e Punës Kurde (PKK), të cilën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka shpallur si organizatë terroriste.

Mirëpo, kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, gjatë një interviste për Agjencinë Franceze të Lajmeve AFP, deklaroi se zyrtarët e saj nuk patën lëshuar shumë pe ndaj kërkesave turke.

E megjithatë, menjëherë pas këtij pohimi, Andersson e thotë konkretisht: Po punohet për kërkesat turke mbi ekstradimin e disa shtetasve, në përputhje me ligjin evropian.

Qartësisht, kryeministrja suedeze u referohet këtu eksponentëve të PKK-së, të cilët strehohen në Suedi, pasi kërkesë tjetër, Turqia, përtej atyre të cilët i cilëson si terroristë, nuk ka.

Madje, fillimisht, kjo ishte pikërisht arsyeja se pse Ankaraja e kundërshtonte aderimin e dy vendeve nordike në NATO.

Po nga burime pranë AFP-së u bë me dije dje gjithashtu se “Turqia e pat marrë atë çfarë kërkonte”.

Sërish, nëse i referohemi retorikës politike të Erdoganit javët e fundit, kërkesa lidhej vetëm ata, kurdët.

Ndaj, nëse shumë apo pak pe është lëshuar nga Suedia, nuk është e sigurt, përtej faktit se Andersson e deklaroi vetë çështjen e ekstradimeve.

Memorandumin mes tre vendeve ndërkaq, e kanë përshëndetur të gjithë liderët perëndimorë, duke e cilësuar si një hap pozitiv në vazhdën e reformave për sigurinë brenda Evropës dhe më gjerë.