Giovanni Padovani është 27 vjeç, futbollist i Sancataldese de Sicilia. Por pikërisht për shkak se u tregua një vrasës i ftohtë dhe mizor, ai tashmë është në qendër të vëmendjes së të gjithë botës. Xhelozia e sëmurë e bëri atë të kryente një krim të tmerrshëm, që tronditi shoqërinë italiane.
Më 20 gusht, ai braktisi grumbullimin e ekipit të tij, i cili do të luante në “Coppa Italia”, dhe shkoi në Bologna, ku vrau me çekiç ish të dashurën e tij (Alessandra Matteuzzi). Padovani e ka ndjekur për disa kohë ish-partneren e tij, por këtë herë e ka pritur te dera e shtëpisë dhe e ka sulmuar britalisht në hyrje të saj.
Gruaja po fliste në telefon me motrën e saj, e cila nga larg dhe e pafuqishme dëgjoi britmat dhe goditjet brutale me të cilat lojtari vrau Alessandra. “Isha 30 kilometra larg, nuk mund të bëja asgjë. E dëgjova duke iu lutur të mos e lëndonte, duke bërtitur shumë dhe thirra policinë”, – tha ajo.
Motra ka lajmëruar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vend, por nuk ka pasur asgjë për të bërë. Padovani ishte në vendngjarje, dukshëm i shqetësuar dhe iu tha agjentëve: “Më vjen mirë që erdhët…”
“Ata u ndanë në janar, por ai filloi ta përndiqte. Futbollisti ishte shumë këmbëngulës dhe qëndroi në derën e saj, tentoi të hynte në shtëpinë e saj, ia kishte fikur sistemin e sigurisë… çdo gjë…”, – tregoi motra e së ndjerës.
Xhelozia ishte gjithmonë e pranishme gjatë lidhjes dhe lojtari shkoi aq larg sa detyroi të dashurën e tij të dërgonte video për të konfirmuar vendet ku kishte qenë.
Alessandra ishte ende e vetëdijshme kur mbërritën autoritetet dhe ekipet mjekësore, por ajo vdiq në spital. Padovani është në burg në pritje të gjykimit.