Me vendim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është zbritur çmimi i biletave prej 50 për qind për studentët, fëmijët, invalidët e luftës dhe ata të punës, si dhe pensionistët. Ndërkaq, fëmijët nën moshën 6-vjeçare lirohen tërësisht nga pagesa. Por Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve kërkon anulimin e këtij vendimi, përndryshe ka kërcënuar me protesta
Në të kundërtën ka paralajmëruar protesta, të cilat thotë se deri tash kanë qenë të pezulluara.
Kjo çmimore e kundërshtuar nga ta përfshin zbritje të çmimeve të biletave prej 50 për qind për studentët, fëmijët, invalidët e luftës dhe ata të punës, si dhe pensionistët. Ndërkaq, fëmijët nën moshën 6-vjeçare lirohen tërësisht nga pagesa.
E ky vendim për kryetarin e kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, është skandaloz dhe antikushtetues.
Ai bashkë me operatorët e tjerë gjatë një mbledhjeje urgjente kanë vendosur që çështjen ta dërgojnë në instanca gjyqësore.
“E para ka të bëjë me masën e përkohshme, pra Këshilli Drejtues me anë të një kërkesë-padie, do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe për mohimin e të drejtave tona si treg i lirë”, ka thënë Kurtishaj.
Si vendim të dytë e të tretë kanë përmendur ultimatumin 72-orësh për Ministrinë e Infrastrukturës dhe organizimin potencial të protestave, nëse ultimatumi nuk kryen punë.
Ata janë të bindur se ky vendim i zv.ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është antikushtetues. Këtë pretendim e bazojnë në nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës e që funksionimin e afarizmit e inkuadron brenda ekonomisë së tregut të lirë.
“Jo vetëm që është shkelje ligjore, por është edhe shkelje kushtetuese. Ne si transportues nuk mund të pajtohemi me këtë”, ka thënë Qamil Kastrati nga Shoqata e Transportit të Prizrenit.
Në Prizren, por edhe në komuna të tjera, si Gjakova, Peja, Rahoveci e qytete të tjera ka pasur rritje të çmimeve të biletave.
Transportuesit janë arsyetuar me ngritjen e çmimit të naftës, e që sipas tyre kjo e përcakton edhe vendosjen e çmimit të biletës së autobusit.
Këtë rritje çmimesh, kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj, e ka cilësuar simbolike, duke shtuar se jo të gjitha kompanitë e kanë bërë këtë lëvizje.
“Nëse ka ndonjë lëvizje të çmimit të biletave ato kanë qenë lëvizje simbolike. Pra, ne nuk e kemi ngritur çmimin e biletave në 50 apo 60 për qind”, ka deklaruar ai.
Gjatë këtij takimi, që është mbajtur të dielën në zyrat e Odës Ekonomike është theksuar se sektori i transportit ka qenë i dëmtuar për shkak të masave anti-COVID.
Është përmendur masa e propozuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe miratuar prej Qeverisë së Kosovës që autobusët të përdorin vetëm 50 për qind të kapacitetit.
Kurtishaj bashkë me operatorët e tjerë ishin të një zëri që shteti duhet t’i subvencionojë para se të marrin vendime që i rrezikojnë bizneset e tyre.