Torturat në ish-Burgun e Prishtinës: Në hapësirën prej 10 metra katrorë qëndronim, hanim e kryenim nevojat fiziologjike

Kosova Republikë në vitet e 80-ta të kushtonte me rrahje e përdorim të dhunës brutale. Krime që organizoheshin dhe zbatoheshin në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. E nëpërmjet një dere të ngushtë të burgosurit transferoheshin në zyrat e UDB-së serbe, vend nga i cili shërbimi sekret serb shqiptarët i nxirrte të gjakosur e pavetëdije.

“Nga kjo derë e kaltër me grilla nuk ka pasur mundësi mos me kalu një i burgosur politikë. Nuk ka pasur mundësi pa kaluar në dorën e dhunshme të instrumenteve të shtetit Serbisë dhe UDB-së”, tregon ish i burgosuri Braha.

Ashtu siç rrëfen Braha, UDB-ja e kishte sallën e veçantë për tortura. Ajo i ngjasonte një salle të operacioneve të kirurgjisë ku i burgosuri torturohej, mbahej i lidhur, rrihej e eksperimentohej me të. I burgosur politik për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e 81-shit, Braha fillimisht ishte mbajtur në vetmi në një qeli.

“Këtu çdo gjë ka qenë e ndytë, i gjithë muri ka qenë me gjakë, ka qenë i lyer me gjakë. Ka qenë një vend që për tre muaj sa kam qëndruar këtu nuk është pastruar”, ky është përshkrimi për vendin ku ai qëndroi gjatë i torturuar.

Në rreth 10 metra katrorë, qelia shërbente për qëndrim ditor, ushqim, e po ashtu edhe për nevoja fiziologjike. Tre muaj pas kësaj, Braha u transferua në katin e dytë të burgut famëkeq. Pasi u vendos këtu, ai thotë se lejoheshin edhe për dalje nëpër oborr. Braha në këtë vend kaloi mbi një vit në paraburgim, ndërkaq edhe gjashtë vite tjera i kaloi nëpër burgjet nëpër Kosovë.

Një nga burgjet më famëkeq në hapësirat e ish-Jugosllavisë u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkaq u mbyll më 2016.  Nga e marta, hapësirat e burgut janë të hapura për vizitorë, si dëshmi ku të burgosurit vuajtën dhunën brutale nga aparati shtetëror i Serbisë./RTV Dukagjini/