Teuta Sahatqija e LDK-së kritikon Gërvallën pas paraqitjes në Këshill të Sigurimit

 

Anëtarja e kryesisë së LDK-së e ish-konsullja në New York e Kosovës, Teuta Sahatqija, ka thënë se ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk është dashur të flasë për krimin dhe korrupsionin në Kosovë para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Ajo ka thënë se kjo temë, që për Kosovën do të duhej të ishte e brendshme, mund të shërbejë si material i mirë për Serbinë dhe Rusinë në përpjekjen e tyre për ta paraqitur Kosovën si një vend të dështuar.

 

 

“Kjo temë duhet fuqishëm të luftohet, por duhet të luftohet brenda. Është temë e brendshme dhe nuk mendoj se është mirë që t’i jepet material Serbisë dhe Rusisë që ta shfrytëzojnë emrin e ministres së Jashtme dhe të fuqizojnë sulmin kundër Kosovës”.

“Po flasim për Këshillin e Sigurimit ku 8 prej 15 anëtarëve janë shtete mosnjohëse dhe shtete që po e kundërshtojnë Kosovën. Fokusi nuk duhet të jenë fjalët në fjali apo analiza e detajeve të fjalimit, por duhet të koncentrohemi që këto seanca të mos ekzistojnë më. Pra, që të jenë të mbyllura për të mos iu dhënë mundësia edhe Serbisë edhe Rusisë që të keqpërdorin atë platformë, aq më pak duke iu referuar fjalëve të zyrtarëve tanë të lartë”.

Sahatqija në Klan Kosova ka thënë se Gërvalla ka bërë mirë që ia ka përmendur krimet Serbisë dhe që mbajti flamurin në prapavijë, por që fokusi duhet të jetë i përqendruar te vizioni më afatgjatë dhe jo te detajet.

 

 

Ajo ka thënë se në Këshill të Sigurimit ekziston një luftë e vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe shteteve që janë të ndara në dy anë.

“Ekzistojnë dy tabore; shtetet njohëse dhe mike të Kosovës si SHBA-ja dhe shtetet europiane që pa rezervë e mbështesin Kosovën dhe i potencojnë të mirat e saj dhe është tabori i shteteve jonjohëse në krye me Rusinë që tentojnë ta paraqesin Kosovën si një vend të krizës ku s’ka asnjë përparim dhe si një vend që është shtrat i islamistëve. Ambasadori rus tha se islamistët e Kosovës kanë ndikuar në dëmin i cili është shkaktuar në Austri. Janë këto shtete që aspak s’e pranojnë Kosovën dhe janë shumë të fuqishme për të treguar se dialogu për status të Kosovës duhet të vazhdojë”.

\RTV-Okarina\