Tensionet në Ukrainë: Biden dhe Putin do të zhvillojnë bisedë telefonike sot

 

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të zhvillojë bisedime me Vladimir Putinin e Rusisë për herë të dytë këtë muaj, në përpjekje për të ulur tensionet rreth Ukrainës. Dy liderët do të flasin me telefon të enjten.

Ata do të diskutojnë bisedimet e ardhshme të në fushën e sigurisë midis vendeve dhe situatën në Evropë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Rusia, që ka ngritur forca në kufirin me Ukrainën, mohon se planifikon të pushtojë vendin.

Vendi që udhëqihet nga Putin thotë se trupat e saj janë atje për stërvitje dhe se ka të drejtë të lëvizë lirisht trupat e saj në tokën e saj.

SHBA u konsultua me krerët evropianë përpara thirrjes për të bashkërenduar një përgjigje të përbashkët për këtë çështje, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët ukrainas të sigurisë thonë se më shumë se 100,000 trupa ruse janë dërguar pranë kufirit të tyre të përbashkët dhe SHBA-ja e ka kërcënuar Putinin me sanksione “të tilla që ai nuk ka parë ndonjëherë” nëse Ukraina sulmohet.

Biden do t’i ofrojë homologut të tij rus një “rrugë diplomatike”, por mbetet “shumë i shqetësuar” nga grumbullimi i trupave ruse në kufi, tha një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve AFP. Ai pritet t’i thotë Putin se SHBA-ja është e përgatitur të përgjigjet nëse Rusia përparon me “një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli të mërkurën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkruan BBC.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Blinken kishte “përsëritur mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë ngritjes ushtarake të Rusisë.

Në fillim të këtij muaji, të dy presidentët mbajtën një samit virtual në të cilin Biden përsëriti mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ndërsa Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, ajo ka lidhje të ngushta me bllokun.

Rusia ka deklaruar se dëshiron garanci ligjërisht të detyrueshme që NATO-ja nuk do të lëvizë drejt lindjes dhe se armët nuk do të dërgohen në Ukrainë apo në ndonjë vend fqinj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur i bindur se anëtarësimi i Ukrainës në aleancë është një çështje mes NATO-s dhe Kievit.

Zyrtarët rusë do të takojnë homologët e tyre amerikanë në Gjenevë më 10 janar. I pyetur në fillim të kësaj jave nëse do të takohej me Putinin në atë datë, Biden u përgjigj “Do të shohim”.