Takimi Zelensky – Putin, i mundshëm pas betejës për Donbasin

Takimi Zelensky-Putin i mundshëm, por vetëm pas betejës së pritshme për Donbasin, thotë zyrtari ukrainas

Një takim mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me atë rus, Vladimir Putin, mund të ndodhë vetëm pas betejës së madhe të parashikuar për rajonin lindor të Donbasit.

Kështu ka bërë të ditur këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, i cili tha se Ukraina është gati për beteja të mëdha, e duhet t’i fitojë ato, veçanërisht në Donbas.

“Dhe pas kësaj, Ukraina do të marrë një pozicion më të fuqishëm negociues, nga i cili mund të diktojë disa kushte. Pas kësaj, presidentët do të takohen. Kjo mund të zgjasë dy ose tre javë”, ka thënë Podolyak.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se parashikojnë një ofensivë të madhe në Donbas nga Rusia, e cila ka njoftuar një ndryshim në strategjinë ushtarake duke u fokusuar në lindjen e vendit.