Takimi me Escobar, Basha: Folëm për aktualitetin shqiptar dhe Kosovën

 

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar ka mbërritur ditën e sotme në Tiranë, ku ka zhvilluar një takim në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa ishte i shoqëruar edhe nga ambasadorja Yuri Kim.

Pas këtij takimi, në një deklaratë për mediat Kryedemokrati Basha u shpreh se u fol për aktualitetin politik në Shqipëri por edhe më gjerë në rajon.

“Kënaqësi e veçantë të mirëpres përfaqësuesin e lartë të SHBa, Escobar. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i SHBA, është edhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë ajo që PD ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite, nga ndryshimi i kushtetutës për Reformën në Drejtësi, deri tek ligji për SPAK dhe BKH, të miratuara me iniciativën e mbështetjen amerikane, për vettingun e politikanëve. Këto dëshmojnë se PD ka qenë dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit. Nga demokracia e plagosur rëndë nga masakra e 25 prillit dhe sa i përket lidhjes së politikanëve dhe oligarkëve. Betejat e PD kanë qenë këto e jashtëzakonshme të shofim si prioritet të SHBA të një beteje që kemi luftuar. Me zotin Escobar folëm për situatën politike në vend, por edhe në rajon, megjithatë qëndruam gjatë tek Kosova. Ia bëra të qartë qëndrimin e PD ndaj integritetit territorial të Kosovës. Në këtë qëndrim kam marrë mbështetjen e mirëkuptimin e Escobar. Diskutuam edhe reformat, kyç mbetet një drejtësi e pavarur”, tha Basha

Basha pranoi se në takimin me Escobar kanë diskutuar edhe rreth shpalljes ‘non grata’ të ish kryeministri Sali Berisha, ndërsa tha para gazetarëve: “Pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë ishin pjesë e diskutimit, çështjeve që i takojnë DASH do keni mundësi të dëgjoni nga Escobar”.

Më tej, Basha shtoi se: “Është një ftesë e përsëritur dhe po planifikoj një vizitë në Washington që të shtyjmë përpara daljen e kësaj gjendje pezullimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen përpara të një Shqipërie të pavarur”.

 

\RTV-Okarina\