Takimi i parë plenar i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda procesit “Brdo-Brijun”, i cili po mbahet sot në Slloveni, filloi në qendrën e kongresit dhe sipas njoftimeve të mëparshme. Aty do të diskutohen përfundimet e përbashkëta dhe do të dilet mbase me një deklaratë mbi pandryshueshmërinë e kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Në takim, i cili po zhvillohet me dyer të mbyllura, pra pa media, po marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presidenti kroat, Zoran Milanoviqç, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, Zheljko Komshiq, Sefik Gjaferoviq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Pas këtij takimi, siç është planifikuar në agjendën e samitit të sotëm, udhëheqësit do ta kenë një drekë të përbashkët dhe një konferencë po ashtu e përbashkët për shtyp është planifikuar për në fund të samitit të sotëm.
Pritësi i samitit, presidenti slloven, Borut Pahor, me rastin e samitit të sotëm, javën e kaluar bisedoi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Pahor tha në Prishtinë se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor , ndërsa Osmani tha se dialogu me Serbinë do të vazhdonte, por jo për të folur lidhur me statusin dhe kufijtë e Kosovës.
\RTV-Okarina\