Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të programit qeverisës.
Tahiri ka thënë se po bëhen dy muaj qeverisje Kurti, por ende nuk kanë një program.
“Kemi hyrë në muajin e dytë të qeverisjes Kurti, një qeveri e cila për çudi për të gjithë është duke qeverisur pa program. Sot kur po e nisim një seancë ku do të diskutohet për pandeminë, Kurti dhe ministrat e tij nuk kanë arritur të paraqesin tri objektiva para qytetarëve”, tha ai në Kuvend.
Tahiri kërkoi nga Qeveria Kurti të mos bëjnë eksperimente dhe të largojnë logjikën e arrogancës.
“Kërkesa është mos bëni eksperimente me çështjen e pandemisë, mos bëni eksperimente me orën policore por largoni, mos bëni eksperimente me dialog. Kërkojmë nga ju se kur do të na prezantoni një program qeverisës. Largoni logjikën e arrogancës”, theksoi ai.
Tahiri po ashtu ka kritikuar Kurtin për votimin e tij në Shqipëri.