Supremja merr vendim për përsëritje të votimit me postë në këtë komunë

 

Gjykata Supreme ka dhënë vendim që të ripërsëritet votimi me postë në Komunën e Dragashit për raundin  e dytë të zgjedhjeve lokale.

Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, për këtë vendim ka thënë se Supremja ka vendosur kështu “për shkak të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe manipulimit të vullnetit politik të mërgatës, të urdhërohet votim i sërishëm për votimin me postë”.

“Vulën e instancës më të lartë gjyqësore në vend, sot e kanë marrë të gjitha pretendimet që kemi ngritur për organizimin, orkestrimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor të votimit me postë për komunën e Dragashit”.

“Ashtu siç kishte konstatuar dhe vendosur me të drejtë PZAP, edhe Gjykata Supreme konfirmoi se vullneti i votuesve të mërgatës ishte cenuar në mënyrën më të rëndë, andaj edhe devijimi i rezultatit zgjedhor, respektivisht shkelja arbitrare e të drejtës së mërgatës për të votuar në mënyrë të fshehtë, të lirë e të barabartë, u vërtetua. Gjykata Supreme me këtë vendim po ashtu ka vendosur që për shkak të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe manipulimit të vullnetit politik të mërgatës, të urdhërohet votim i sërishëm për votimin me postë”.

“Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të z. Shaban Shabani, kandidat për kryetar i komunës së Dragashit, konsiderojmë se edhe ky vendim, përbën drejtësi për bashkëqytetarët tanë të Dragashit”,ka thënë Fetahu.

Këtu më poshtë e keni dokumentin e Supremes:

 

 

\RTV-Okarina\