Studentët që s’u lejuan ta vizitojnë Prekazin nuk ishin serbë, ishin nga Amerika dhe shtete tjera mike

Autobusi me studentë që u ndalua të vizitonte Prekazin të dielën nuk ishte me studentë serbë.

Ata ishin studentë ndërkombëtarë që ishin pjesë e organizimit të organizatës joqeveritare “Qendra kosovare për diplomaci”.

Organizatori i kësaj vizite, Labinot Hajdari bëri të ditur se vizitën e tyre e kanë anuluar për shkak që të “mos e provokojnë situatën”.

“Rrugës për në Prekaz, me 60 studentët ndërkombëtarë, asnjë nga rajoni, fatkeqësisht hyrja na u pamundësua nga protestuesit që kishin dalë për të parandalu hyrjen e një grupi tjetër që ishte e paraparë të ndodhte sot. Duke qenë vet nga Drenica, i di mirë plagët dhe shqetësimin e secilit protestues, prandaj edhe pse ne nuk ishim grupi që pretendohej, meqë ne jemi organizim tjetër, për të mos provokuar situatën, vendosëm ta anulojmë vizitën në Prekazin heroik”, shkroi ndër tjerash ai.

Sipas tij, është e dhimbshme që kësaj here nuk arritën që para studentëve ndërkombëtarë të tregojnë historinë e familjes Jashari dhe Prekazit.

“Është e dhimbshme që kësaj here, ashtu siç e bëjmë çdo vit, nuk arritëm që para studentëve ndërkombëtarë, të tregojmë historinë e dhimbshme të familjes Jashari, Prekazit legjendar, gjithsesi e mbështesim shqetësimin e protestuesve, që grupin tonë fatkeqësisht e ngatërruan me grupin e studentëve te Universitetit Veror të Prishtinës. Ju kërkoj mediave të përmbahen nga lajmet propaganduese, duke plasuar lajme, e ngatërruar grupin tonë, e ritheksoj, asnjë nga rajoni, me grupin e studentëve te Universitetit Veror të Prishtinës, të cilit kishin lëshuar deklarata provokuese”, thuhet ndër tjerash në postim.

Tutje, ai tregoi edhe prej nga vinin studentët që kishin planifikuar ta vizitonin Prekazin.

“Sa për sqarim, pjesëmarrësit janë nga shtetet si: ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Italia, Luksemburgu, Kenia, Belgjika, Spanja, Suedia, Danimarka, Franca, Vietnami, Turqia, Republika e Irlandës, Hong Kongu, Gjermania, Zvicra, Skotlanda, Austria, Republika Dominikane, Ukraina, Japonia, Kolumbia, Mongolia, Polonia, Norvegjia, Kirgizstani dhe nga diaspora”, shkroi tutje ai.