Sot pritet që Gjykata të vendos për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Sot pritet që Gjykata Themelore në Pejë të shpallë aktgjykimin për rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj, në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”.

Gogaj po akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ashtu sikurse edhe i pandehuri Isuf Cacaj. Pas rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj, në seancën e 16 marsit, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, mori vendimin për aprovimin e pranimit të fajësisë, kurse shpalljen e aktgjykimit e caktoi për sot, në ora 14:30.Ndryshe, këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 12 qershor 2019, e të ricilësuar më 16 mars 2021, e akuzon të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 18 mars, ka reaguar ndaj zhvillimeve në çështjen penale ku i akuzuar për vrasjen e tanimë të ndjerit Agonis Tetaj është Shaban Gogaj, duke kërkuar që ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, të iniciohen procedurat penale dhe disiplinore.

Kurse Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga trupi gjykues të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat sipas tij do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridik, si dhe ka vendosur që të ricaktojë prokurorin e ri për këtë lëndë.Tutje, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj prokurorit, Agron Uka./BetimiperDrejtesi/