Sot mbushen 7 vite nga vetë-rrëzimi i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës

 

Sot mbushen plotë 7 vite nga vetë-rrëzimi i qeverisjes PDK-AKR, si dhe vetë-shpërndarja e Kuvendit të Kosovës.

Koalicioni PDK-AKR ishte prishur me iniciativën e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, por jo edhe me pëlqimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Këta të dy, bashkë me liderin e LDK-së opozitare Isa Mustafa vendosën të shpërndahet edhe Kuvendi, pas takimeve me presidenten e atëhershme Atifete Jahjaga.

Me 90 vota për 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës mori vendim më 7 maj 2014 që të shpërndajë vetveten.

Me këtë vendim, Kuvendi vendosi që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën më 8 qershor 2014.

 

 

Mocioni ishte ngritur nga një grup prej 57 deputetëve në bazë të marrëveshjes ndërmjet liderëve të PDK-së dhe LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.

Arsyetimin e kishte prezantuar deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami i cili kishte thënë se me këtë vendim, Kuvendi hap procedurat ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Nisma e deputetëve ishte mbështetur më pas edhe nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, përderisa ata të AAK-së kanë prezantuar qëndrime të ndryshme.

\RTV-Okarina\