Kosova do t’ia lëshojë me qira Danimarkës 300 qeli të burgut të Gjilanit.
Kjo do të bëhet në bazë të marrëveshjes që firmoset sot mes dyja shteteve, marrëveshje e cila do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës dhe atë të Danimarkës.
Eris Hana, anëtar në Komisionin Negociues të Marrëveshjes për të Burgosurit me Danimarkën, ka thënë të enjten në Info Magazine të Klan Kosovës se Kosova do të ketë përfitime të mëdha nga marrëveshja dhe se kjo do të zgjasë për dhjetë vjet.
“Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për Kosovën. Në tërësi është një marrëveshje më e madhe, që përfshin në brendi të saj marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar. Respektivisht, përfshin lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet prej 300 personave për Republikën e Danimarkës”.
“Menaxhimi i burgut do të jetë i Mbretërisë së Danimarkës, por zyrtarët tjerë do të jenë zyrtarë kosovarë, që do të ndihmojnë në punët e përditshme të zhvillimit të atij burgu. I gjithë burgu i Gjilanit do të jetë në përdorim të Danimarkës, për këtë marrëveshje Kosova do të kompensohet shumë mirë, kjo marrëveshje do të zgjasë së paku dhjetë vjet. Kosova do të përfitojë shuma të mëdha, po ashtu do të ekzistojë edhe një marrëveshje tjetër për fushën e energjisë së gjelbër”.
“Punët po shkojnë shumë shpejt, e njëjta marrëveshje pritet të nënshkruhet në vitin 2022. Javën tjetër, do të nënshkruhen letër qëllime, do të jenë shprehje të dy ministrave të Drejtësisë, marrëveshja të hënën nuk finalizohet, ajo do të finalizohet në fillim të vitit 2022,” ka thënë Hana.
Ai tutje ka theksuar se të burgosurit danezë që do të vijnë në Kosovë nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, por të asaj mesatare.