Sot shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka ditëlindjen dhe mbushi plotë 86 vite jetë.
Ai ka lindur me 28 janar 1936 në Gjirokastër ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenjë të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenjë të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të ndryshme,) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të shpërngulet në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.
Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias per Letersi”, nje nga çmimet me prestigjoze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi.
Redaksia e RTV Okarina iu uron ditëlindjen duke i dëshiruar shëndet e mbarësi!