Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith nuk po bindet se Policia e Kosovës ka aftësi që të monitorojë dhe garantojë lirimin me kusht të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen të burgosur në Hagë.
Smith në një parashtresë të dërguar në gjykatë, ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, duke aluduar se Policia e Kosovës nuk ka dhënë sërish garancë të mjaftueshme për lirimin e krerëve të UÇK-së
“Garancitë e fundit të PK-së mbeten të pamjaftueshme dhe si të tilla nuk përbëjnë ndryshim të rrethanave”, ka thënë Smith në parashtresat e tij.
Madje, Smith ka thënë se edhe sikur kushtet e lirimit të ishin të menaxhueshme, Kosova nuk ka dëshirë t’i zbatojë ato.
“Në dritën e rreziqeve të larta që ekzistojnë dhe rrethanave specifike të të akuzuarit, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të përcaktojë se kushtet e propozuara janë të pamjaftueshme për të justifikuar lirimin dhe, edhe sikur të ishin, Kosova nuk dëshiron dhe nuk është në gjendje të t’i zbatojë ato”, ka thënë ai.
Sipas Smith, propozimi i Policisë që banesa/shtëpia e një të akuzuari të monitorohet nga një oficer dhe një kamerë, nuk përbën shmangie nga rreziku që ai pretendon.
Sipas tij, një formulim i tillë do të linte pa mbikëqyrje një pjesë të madhe të vendit ku banon cilido nga të akuzuarit.
“Së pari, përgjigjet e PK-së ndaj mbikëqyrjes së kushteve të banimit parashikojnë një përdorim të burimeve të kufizuara që nuk është qartësisht në proporcion me peshën e rreziqeve.PK-ja propozon që të ketë një oficer të vetëm që ta ruajë banesën me një kamerë të vetme në derën e përparme të banesës. dhe një të dytë jashtë ndërtesës. Perimetri i banesës nuk mund të sigurohet pa më shumë burime, duke lënë të pa monitoruara pjesë të mëdha të pronës. Në veçanti, përveç atyre pjesëve të rezidencës që një roje mund të shohë nga dera e përparme, pjesa e brendshme e pronës do të ishte e pavëzhgueshme. Kjo është në kontrast të qartë me Qendrën e Paraburgimit, e cila ka një ekip oficerësh të paraburgimit, detyrat kryesore të të cilëve përfshijnë ruajtjen e një mjedisi të sigurt paraburgimi”, thuhet tutje në parashtresën e Smith.
Madje sipas Smith, mos-garancia e mjaftueshme e Policisë së Kosovës është tregues për paaftësi të thjeshtë për të zbatuar masat.
”Kosova ende nuk ka ofruar garanci adekuate për të zbutur rreziqet serioze të paraqitura nga të Akuzuarit. Këto dështime të vazhdueshme paraqesin një paaftësi të thjeshtë për të zbatuar masa të mjaftueshme”, ka thënë Smith.
Kujtojmë se Gjyqtari i Procedurës Paraprake kishte urdhëruar Policinë e Kosovës që të dërgojë garancë të detajuar për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo garancë, e cila ka mbërritur para pak ditësh do të shqyrtohet sërish nga gjyqtari i Procedurës Paraprake teksa së shpejti pritet edhe një vendim për lirimin ose jo të krerëve të UÇK-së nga paraburgimi. /rtvokarina/