Skandaloze: Kosova po boshatiset, Ministri i Kurtit e sheh proces normal

Mijëra të rinj në Kosovë po përgatiten të shkojnë për të punuar në Gjermani, e cila ka mungesë të punëtorëve shëndetësorë, kështu që vendi që shpalli pavarësinë 14 vjet më parë mund të mbetet pa fuqi punëtore në disa sektorë, shkruajnë mediat kroate.


Nga Prizreni, qyteti i dytë më i madh, autobusët i çojnë punëtorët në punë në Prishtinë nga ora 6 e mëngjesit. Aty ndodhet zyra e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi.

“Ne si qeveri sigurisht që po e vëzhgojmë situatën. Ne po i drejtojmë politikat drejt së ardhmes për t’u ofruar të rinjve shërbime të mjaftueshme këtu”, thotë ai. “Por këtë trend të emigrimit e kam parë edhe në Kroaci, në zonën e Vukovarit, prej nga shkojnë edhe në Gjermani. Është një proces normal, njerëzit kërkojnë kushte më të mira jetese”, shton ai.

Kroacia ishte e fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013, kur dyert e tregut të punës në bllokun e 27 vendeve u hapën për banorët e saj. Në dhjetë vitet e fundit ka humbur rreth 400 mijë banorë, sipas regjistrimit të popullsisë të publikuar në janar.

Miroslav thotë se është “fat për Kosovën” që ambasada gjermane po përballet me një ngecje në përpunimin e kërkesave për viza pune. Ai pretendon se nga rreth 50 mijë kërkesa në muaj, disa qindra procedohen.

“Shumë qytetarë trajtohen jashtë Kosovës për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore, kështu që mund ta imagjinojmë situatën vetëm pas disa vitesh nëse vazhdon ky trend i shkuarjes së mjekëve në Gjermani”, thekson ai. Në faqen e saj, Ambasada Gjermane në Prishtinë u kërkon banorëve që të mos shkojnë pa një termin të aprovuar.

Ambasada nuk u përgjigj se sa aplikime për vizë pune ka aktualisht dhe sa miraton në muaj.

Muajin e kaluar, Krasniqi kërkoi nga Komisioni Europian që ta pranojë Kosovën në Strategjinë e BE-së për Zonën Adriatiko-Joniane (EUSAIR), një forum përmes të cilit dhjetë vende që kufizohen me detin Adriatik dhe Jon, ose që ndodhen në brendësi të tij, mund të tërheqin para nga fondet e BE-së për projekte të përbashkëta.

 

Serbia, anëtare e EUSAIR, po e bllokon hyrjen e Kosovës si shtet i pavarur në këtë iniciativë, që është një hap fillestar drejt anëtarësimit të mundshëm në BE një ditë.

“Shumë të rinj do të ishin të lumtur të jetonin këtu në Kosovë dhe nuk do të largoheshin siç kanë bërë për shumë vite”, thotë Krasniqi. “Duam t’i përfshijmë në turizëm dhe në programe të ndryshme bashkëpunimi, që të mos kërkojnë punë jashtë, por ta gjejnë këtu”, shton ai.

 

Të rinjtë duan kushte më të mira jetese në Kosovë, pavarësia e së cilës është njohur nga 22 prej 27 vendeve të BE-së. Tauliani, një student 18-vjeç i stomatologjisë, ishte me pushime me miqtë në Trogir, Split dhe Dubrovnik verën e kaluar.

Ai sapo u kthye me autobus nga universiteti nga qyteti maqedonas i Tetovës në vendlindjen e tij në Prizren. “Nuk ka shumë mundësi për të rinjtë këtu, kështu që të gjithë duan të shkojnë në Gjermani dhe Zvicër”, thotë ai në stacionin e autobusëve. “Por unë nuk dua të shkoj të punoj jashtë vendit. Unë dua të qëndroj në atdheun tim”, thekson ai.