Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka sulmuar fizikisht një zyrtar të federatës sot pasdite.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë”, tha Ahmeti për gazetën.
Nacionale mëson se Ademi e ka sulmuar zyrtarin Artan Govori, pas një fjalosjeje me të duke e akuzuar se është mbështetës i kundërshtarit të tij në zgjedhjet për president të shtëpisë së futbollit, Gramoz Vokrri.
Sulmi ka ndodhur brenda zyrës së federatës dhe Policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
Govori, i cili është drejtor për marrëdhënie me jashtë në FFK, ka shkuar në stacionin policor për të dhënë deklaratë.
Gramozi, i biri i legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri, e ka zyrtarizuar sot kandidaturën për president të federatës së futbollit duke i dorëzuar nënshkrimet e nevojshme të delegatëve për këtë.
Sulmi ka ndodhur vetëm pak kohë pasi Vokrri ishte në federatë për t’i dorëzuar nënshkrimet e delegatëve në garën për president.